ZBULOHEN KUJTIMET E QAZIM KOKOSHIT FIRMËTAR I DEKLARATËS SË PAVARËSISË KOMBËTARE

Për aktivitetin e tij  në shërbim të atdheut Qazim Kokoshi u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932.

 

Nga Eqerem Canaj, shkrimtar *)

 

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, kohët e fundit ka bërë një botim me vlerë: Kujtimet e Qazim Kokoshit, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë Kombëtare. Libri është përgatitur dhe shoqërohet me një studim mbi veprimtarinë atdhetare të Qazim Kokoshit nga z. Enver Memishaj.

Libra të tillë janë të rrallë, jo vetëm për kulturën historike të qytetit të Vlorës por se sjellin në ditët tona ringjalljen e historis  heroike të Vlorës  dhe atë shqiptare ringjallen atdhetarë të tillë si Qazim Kokoshi krah firmëtarëve të tjerë të Deklaratës së Pavarësisë të cilët kanë punuar e luftuar në kohë shumë të vështira për të bërë Shqipërinë që ne gëzojmë sot.

Në radhë të parë dëshëroj të falnderoj dhe vlerësoj autorin e librit z. Enver Memishaj, si dhe konsulentin e librit Dr. Bujar Leskaj, këtë dyshe simpatike për kontributet e shquara në fushën e historisë për krahinën e Vlorës dhe kulturën historike me botimet e disa veprave me vlera të veçanta duke servirur mjaft dëshmi  e dokumente që tregojnë përkushtimin për të nxjerrë nga harresa shpirtin kombëtar të shqiptarit.

Së dyti një vlerësim i veçantë i takon Isnstitutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” që kohët e fundit na ka dhënë disa vepra dinjitoze me frymën e rilindasve.

Libri Qazim Kokoshi “Një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare” me një studim të Enver Memishajt ka mjaft kapituj e sythe interesante që zbulojnë me natyrshmëri veprimtarinë atdhetare të Qazim Kokoshit nëpëmjet mjaft dokumenteve arkivore dëshmive dhe relike dhe shkrimeve të kohës kur jetoi, luftoi e punoi personazhi historik Qazim Kokoshi.

Pra duke e lexuar me vëmëndje këtë libër të dalin para syve ngjarje e tabllo madhështore të historisë së Vlorës po aq të historisë kombëtare. Dalin qartë e me koherencë krahas Qazim Kokoshit edhe bashkluftëtarë të tjerë si: Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Qazim Koculi, Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Spiro Jorgo Koleka, Hamza Isai, Tol Arapi, Duro Shaska, Sali Bedini i Armenit, Myqerem Hamzaraj, e të tjerë që autori librit i përshkruhen me dashuri por edhe mbi kritere historike.

Për mua dhe lexuesin e sotëm autori studimit z. Enver Memishaj, vlerësuar “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” dhe prej Presidentit të Republikës “Mjeshtër i Madh”, na ka dhënë një sfond historik të gjerë dhe të thellë .

Por unë do të ndalem në një moment të veçantë në kujtimet e Qazim Kokoshit  në të cilat pasqyrohet atdhedashuria, inteligjenca natyrore, vizioni tij europian, kultura e tij dhe dhuntia për të shkruar duke mbajtur ditarë dhe duke botuar dy gazeta: “Populli” në vitin 1914 dhe “Mbrojtja Kombëtare” në vitin 1920.

Edhe pse mjaft fakte e ngjarje të cilat na jepen nga Qazim Kokoshi si dëshmitar okular ose si veprues, pra si pjesmarrës aktiv për të bërë Shqipërinë, dhe këtë dua ta theksoj: kujtimet e Qazim Kokoshin janë ana e kundërt e atyre që ne mësonim në shkollë në kohën e diktarturës për Qazim Kokoshin, bashkluftëtarët dhe moshatarët e tij veprues në fushën e luftës për liri e Pavarësi Kombëtare.

Si përfundim do të thoshja se Enver Memishaj ka bërë dhe na ka paraqitur për diskutim një  studim serioz shumë vlerësh veçanërisht me vlera shkencore ku pasqyrohen mjaft mirë ngjarjet e kohës duke nxjerrë në dritë jo vetëm figurën madhështore të Qazim Kokoshit  dhe nëpërmjet tij na detyron të përfitojmë edhe refleksione mbi  historinë e vërtetë të Vlorëse dhe të Shqipërisë 

Këto dhe mjaft vlera të tjera shkencore e radhitin librin Qazim Kokoshi “Një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare” shoqëruar me studimin e z. Enver memishaj në serinë e botimeve të zgjedhura, që mund ti vlejë si lexuesit të zakonshëm ashtu edhe shkencëtarit serioz.

*) Fjala e mbajtur në promovimin e librit më 12 korrik 2017, në Vlorë.

                               ================= 0O0============

 

 

LIBRI DOKUMENTAR ËSHTË TRYEZË KU ULEN NË KOHË TË NDRYSHME BREZAT

 

Nga Faruk Myrtaj, shkrimtar.

Për te e vërteta arrihet duke u nisur së bashku, mbase duhet përsëritur, tek sa shikon këtë sipërmarrje serioze të studjuesit Enver Memishaj. Vlerësimi i veprave nën autorsinë e tij, të përmëndura e vlerësuara në shtypin e kohës, por edhe nga një kurore emrash të njohur që në një mënyrë a tjetrën ofrojnë maturi dhe pohim të përpjekjeve të këtij autori  për të shkuar tek e vërteta.

Historia e Shqipërisë duhet shkruar, lexuar e pranuar, vetëm se në këtë mënyrë i shërbejmë atdheut tonë. 

Nga që ajo që ka ndodhur, dikur, dje, sot, apo që do të ndodhë në praninë tonë, është interes publik, social, kombëtar, prandaj për tek ajo duhet shkuar sa më bashkarisht.

Pa dyshim edhe kur duket sikur ndahemi, edhe kur këndvështrimet midis dallojnë, edhe kur qëndrimet ditore, sezonale, apo edhe kur qeveritë e Tiranës këmbehen, dëshmia, fakti, duhet kërkuar, verifikuar, lexuar, interpretuar dhe ripublikuar sa më afër natyrës faktike.

Në se gazetat do dëshëronin, jo rrallë, atë që josh sot, atë që nginj oreksin e vaktit, libri dokumentar nuk është si gazetat, por është tryezë ku ulen në kohë të ndryshme brezat bashkombasit tanë që e duan atdheun  dhe të vërtetat e historisë së tij sa më reale.

Vetëm libra të tillë si ato të z. Enver Memishaj nderohen afatgjatë dhe kaq gjerësisht.        

Internet, gazeta “Fjala e Lirë”, Londër, dt. 17.7.2017     

 

Comments

comments

-----