MEDITIM PRANË ‘’LUNGOMARES’’

Nga Luan Çipi

Dielli po perëndon,

Mbrëmja bie e qetë mbi Vlorë,

Vitet ikin pa kuptuar, jeta si në garë vrapon,

Ne, të moshuar të dy, kapur fortë dorë për dorë,

Dielli zhytet pas Sazanit, kënaqësi  që nuk shteron.

 

Na ka lagur shi e breshër, kemi ndjerë zheg dhe fresk,

Dallgë e furtuna çarë, derte e brenga përballuar,

Në halle, mund e gëzime, kaluar shteg e degë,

Tre fëmijët tanë të mirë, kemi rritur e shkolluar,

Ata mërguar e ndarë, kapërcyer mal e breg.

 

Të ulur në buzë të detit, rikujtojmë jetën e shkuar,

Unë dhe gruaja ime tok, kryqëzohemi sy më sy,

Mendimet mjegullojnë, gjysmë shekulli kaluar:

Kur ajo vajzë lozonjare, unë kërthi, djalosh i ri,

Ku janë bijë, nipa, mbesa: n’emigrim e arrati:

 

Ikën larg, morën rrugë: Holandë, Kanada, Amerikë.

Atje rrojnë me djem e vajza, kanë pothuaj njëzet vjet,

Shqipen rrezik harrojnë, nga kjo ndruhem e ndjej frikë.

Do desha dikur të kthehen dhe të vijnë në vend të vet,

“Ta bëjnë Shqipërinë Evropë”, siç u këndua me grykë.

 

Rri, sodis flakërimin diell, tek po fshihet nën Sazan…

Mrekullohem nga ndryshimet e ndërtimet bregdetare:

Gjelbërim, rërë, zall, asfalt, gjallëri, dritë e shkëlqim,

Rrugë për mjete gjithfarë lloj, shëtitore e trotuare,

Është bërë Vlora jonë nuse, qytet që të mbush gëzim.

 

Vlorë, më 05.08.2017

 

 

Comments

comments

-----