Misteret e Çatisë së Gjarpërinjve

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Këtu e dy vjet të shkuara, shkrimtari vlonjat Eqerem Canaj, pati botuar romanin me titull “Çatia e gjarpërinjve”. Para se ta niste për në shtypshkronjë, ai ma pati dërguar me postë elektronike. Kishte dëshirë që të shprehja ndonjë mbresë. E lexova romanin me shumë kureshti, i pata hedhur ca mbresa në kompjuter dhe ia nisa. Por duke qenë shumë i zënë edhe me përgatitjen për botim të librin tim “Përkthimi, një histori pasioni” dhe me artikuj publicistikë, mbresat për atë roman i pata harruar në magazinën e kompjuterit dhe më pati dalë nga mendja për t’i botuar në internet, paçka se zotëria Eqerem Canaj i pati përfshirë ato si recension për romanin e botuar. I kërkoj ndjesë për botimin e mbresave të mia në internet me dy vjet vonesë.

Para se të ndalem në këndvështrimin tim për këtë roman, dëshiroj të theksoj se poet-shkrimtari Eqerem Canaj e ka lidhur vërtetësinë e realitetit që përcjell në krijimtarinë e vet me shtresëzimet e një stili të papërsëritshëm që e shpërfaq me një shpirt krijues të jashtëzakonshëm. Gjuha e tij vjen e përfton disa shtresëzime stilistikore që ndërkëmbehen herë me finesën e gjuhës së latuar letrare, herë me rrëfimtarinë e pasur të gjuhës dialektore. Kësisoj realiteti shqiptar i përcillet lexuesit përmes një mjedisi gjuhësor të kristalizuar.

       Në të njëjtën kohë, në krijimtarinë e tij dalin në spikamë të gjitha ngjyrimet semantike dhe ekspresive të regjistrit gjuhësor. Veç kësaj, duhet theksuar domosdoshmërisht frymëzimi tepër karakteristik që e dallon poet-shkrimtarin Eqerem Canaj tek endet në krahët e fantazisë së tij krijuese. Frymëzimi i tij nuk është gjë tjetër, veçse një ndjesi e gjallë, një dhuratë qiellore, një rreze drite e dërguar nga Hyjnia. Si një krijues me një talent të veçantë, Eqerem Canaj mbetet poet edhe në prozë, e cila të mahnit me elegancën e saj. Frymëzimi i tij lind nga kontaktet me jetën që i nxit pasionin krijues, i cili, si prushi mes hirit, vjen e përflaket nga flladi i fantazisë.

       Kjo është edhe arsyeja që në prozë-poezinë e tij çdo fjalë lind një mendim, çdo mendim na jep një tablo, çdo tablo na nxit një ndjenjë, çdo ndjenjë na përcjell një shprehje herë të hyjnishme, herë të përndezur, herë plot freski.

       E reja ose e pazakonta e ndjenjave që shpreh ky autor në krijimtarinë e vet, qëndron në faktin se ai, me shprehjet, ngjasitë, ndjenjat apo tablotë që përcjell me penën e vet, i lë lexuesit gojëhapur deri në mahnitje.

       Fjala ka një autoritet të jashtëzakonshëm në penën e këtij poet-shkrimtari. Sqima e tij është befasuese në përzgjedhjen e fjalëve. Fjala e tij është tërësisht e tabanit kombëtar. Krijimi i fjalëve të reja me brumin e shqipes sonë hyjnore, duhet të shërbejë si shkollë për të gjithë krijuesit tanë të rinj. Pasuria leksikore që sjell në gjuhën shqipe ky autor i talentuar, duhet të tërheqë vëmendjen e Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë.

Që këtu e ca vite të shkuara, pata lexuar romanin “Njeriu me nofulla të hekurta” të këtij poet-shkrimtari me një individualitet origjinal. Më pas pata lexuar përmbledhjen me tregime dhe me novela me titull “Legjenda e Marsidës”, librin “Romani i një urtaku” romanin “Metastazë në blu” dhe përmbledhjen poetike “Gjethi i kuq”.

Tani ky autor vë në dorën e lexuesve romanin e ri “Çatia e Gjarpërinjve”. Ky roman përbën një risi në letërsinë shqipe, sepse, për herë të parë në prozën tonë artistike, plazmohet një dukuri e çuditshme, një heroinë e pazakontë për lexuesin shqiptar, por fort e pranishme në historinë tonë kombëtare. Heroina kryesore e këtij romani është… anarkia.

Po ç’është kjo anarkia? Ç’do të thotë kjo fjalë? Në përkthimin nga greqishtja, do të thotë “pa” dhe “shtet”. Ndokush këtë fjalë mund ta lidhë me nocione të tilla, si “kaos” ose “kryengritje”, “çrregullim” ose  “liri e plotë” apo “liri pa kurrfarë kufizimi”. Po cila është arsyeja e një të kuptuari të tillë të kësaj fjale, cili është kuptimi i saj i vërtetë? Sipas shpjegimeve që jepen në fjalorë të ndryshëm enciklopedikë, anarkia është një filozofi politike, e cila përmbledh në vetvete teori dhe pikëpamje që nënkuptojnë likuidimin e çdolloj qeverisjeje dhe autoriteti të dhunshëm të njeriut kundër njeriut.

Romani “Çatia e Gjarpërinjve” shërben për lexuesin si një“aparat projeksioni”, i cili përcjell në skenën e jetës shqiptare ca të vërteta tragjike që vijnë nga koha e terrorit komunist, vazhdojnë me përmbysjen e tij zyrtare dhe vijojnë me dukuritë anarkiste të përçudnisë demokratike.

Sipas përcaktimit të mësipërm, anarkia përfaqëson një doktrinë të tërë filozofike, e cila propagandon shembjen e pabarazisë mes njerëzve para ligjit. Pikërisht kjo pabarazi shërben si zanafillë e luftës së anarkistëve me një të tillë institucion siç është shteti.

Në këtë roman, shkrimtari Eqerem Canaj ka arritur t’u kthjellojë mendjen lexuesve për bindjet e tyre të ngulitura djallëzisht në heshtjen e tyre gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, si pasojë e indoktrinimit me hape me efekte mendjeturbulluese, sikur sistemi komunist në Shqipëri na paska qenë gjoja më i organizuari dhe se rendi shtetëror dallohej për rregullin dhe disiplinën shembullore, paçka se në kushtet e një diktature të egër. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Shteti represiv komunist shqiptar ka qenë karakterizuar nga një botëkuptim thellësisht anarkist në marrëdhëniet me qytetarët e thjeshtë. Asokohe, i vetmi individ që gëzonte imunitet të plotë, ishte vetën Njëshi. Të tjerët ishin “mikroparcela eksperimentale”, ku Njëshi bënte prova pas provash për të ruajtur dhe për të përjetësuar pushtetin e vet.

A mund të mos quhej anarkist një vend kur një individ i hierarkisë së lartë shtetopartiake një ditë më parë tundej në kolltuk, kurse të nesërmen përfundonte në një mbeturinë sociale ose para skuadrës së pushkatimit? Ose kur një individ i thjeshtë që nxirrte bukën e gojës pranë tornos apo pranë parmendës, një ditë të bukur përfundonte me hekura në duar për hiçgjë? A ka anarki më të madhe se kjo?

Me skenën që autori përshkruan mjeshtërisht se si kriminelët e Njëshit i presin gjuhën ministrit të brendshëm me aq barbari që të kujton kohën e inkuizicionit të tmerrshëm, lexuesi nuk mund të mos bindet që anarkia e sistemit komunist, e kultivuar me aq fanatizëm prej Njëshit, ishte themeli i ekzistencës së tij.

Vrasja e gjeneralëve dhe internimi i kufomave të tyre diku larg, siç thotë autori në këtë roman, a nuk ishte shprehja më e koncentruar e anarkisë në ushtrimin e pushtetit të pakufizuar prej Njëshit, si i vetmi individ me imunitet të paprekshëm?

Me këtë roman, shkrimtari Eqerem Canaj ka bërë demaskimin më shembullor të anarkisë komuniste që ka tromaksur një popull të tërë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore. Prandaj ideja kryesore e këtij romani përmblidhet në pikësynimin për të përmbysur jo çdolloj autoriteti shtetëror, por vetëm atë lloj autoriteti që bën të mundur pabarazinë mes njerëzve para ligjit.

A kishte gjë më të tmerrshme sesa anarkia e bandës së kuqe, që, në kapërcyellin e ekzistencës së saj në majat e pushtetit, iu vërsul vendit, i cili, mbi gërmadhat e varfërisë komuniste, arriti të ndërtonte një ngrehinë delikate të rregullit dhe të qetësisë?

Shkrimtari Eqerem Canaj, në këtë roman, ngre mjeshtërisht siparin e ca të vërtetave tragjike që shoqëruan anarkinë komuniste në vitet e demokracisë përçudnore. Fuqia e papërmbajtur e magjisë që pllakosi botën shqiptare, fuqi kjo që më parë s’përmendej as për ndofarë hijesh fantazore zbehtake, pa bërë kurrfarë dallimi, erdhi e i pajisi njerëzit e zakonshëm me ca mundësi të reja. Ajo nuk bënte naze në përzgjedhjen e njerëzve: nëse njeriu ishte i mirë ose i keq, i turpshëm apo i pamëshirshëm, i thjeshtë apo kriminel i lindur. Ajo s’e çante kokën fort se cilat janë motivet që e udhëheqin njeriun në këtë jetë.

Ky roman herë-herë të kujton romanin e famshën filozofik të shkrimtarit, të mendimtarit dhe të gazetarit anglez Çesterton (Gilbert Keith Chesterton 18741936), me titull “Njeriu që quhej e Enjte” (The Man Who Was Thursday) dhe me nëntitull “Mishmashi i Natës” (A Nightmare), i botuar në vitin 1908. Në këtë roman përshkruhet historia e një të riu me emrin Gabriel Sajm, i cili hyn në një përleshje fantastike me të keqen e gjithësisë që përfaqësohej nga një grup anarkistësh të kuturisur.

Diku në këtë roman, shkrimtari Eqerem Canaj shkruan jo pa një rëndim në shpirt:

“Secili turret, lakmon të rrëmbejë dhe vetëm të rrëmbejë: të jetojë mbi stërmundin e tjetrit”.

Këto fjalë drithëruese më sjellin ndër mend veprën e filozofit gjerman Maks Shtirner (Max Stirner 1806-1856), me titull “Der Einzige und sein Eigentum” (I vetmi dhe prona e tij), e cila qe botuar në Leipsig në vitin 1845. Kjo është vepra më e njohur në historinë e anarkizmit evropian. Idetë e tij, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, shënuan lulëzimin e individualizmit dhe të nihilizmit në kulturën evropiane. Ideja themelore e veprës së tij mund të përmblidhet në pak fjalë:

“Puna ime nuk duhet të jetë as e mirë, as e keqe, as hyjnore, as njerëzore, meqenëse e mira, e keqja, Hyjnia, njerëzimi të gjitha këto janë nocionet e mia subjektive: përveç meje, për mua nuk ekziston asgjë”.

Autori nuk ndalet në këtë roman në vitet e mjerimit komunist, kur individi i thjeshtë i masës “popull” u varfërua deri në caqe mitike. Por ai shpalos mjeshtërisht para lexuesit produktin e varfërisë mitike që polli ideologjia komuniste: individin e tjetërsuar, të ndërkryer në varfërinë e tij, e cila e ka shndërruar atë në një shëmbëlltyrë individualiste, të karfosur keq nga një egocentrizëm i skajshëm. Dhe tek sodit një individ të tillë mjeran, autori shpërthen:

“…keq unë, keq ti, mirë, kur të tërë jemi keq”.

Tek ravijëzon tiparet karakteristike të një mase gjigante njerëzish të varfëruar që kërkon të shfryjë në prehrin e anarkisë, autori nuk thotë as edhe një fjalë të vetme për kundërtinë e saj, të cilën lexuesi duhet ta nënkutojë me nuhatjen e vet: për tufën e vogël të pasanikëve, të rrasur brenda gjerdheve të Bllokut komunist. Se një gjë e tillë merret me mend kollaj. Se ky është ligji i jetës: kur një popull i tërë varfërohet në skajshmëri, një bandë e vogël në krye të tij pasurohet deri në pabesueshmëri.

Në faqet e këtij romani anarkia vjen e merr të tilla përmasa të frikshme, saqë autori nuk e quan të arsyeshme të hyjë më përsiatje të panevojshme. Ai mjaftohet me një frazë të vetme, e cila zbërthen filozofinë mbizotëruese që e ka karfosur keq psikologjinë e njerëzve të lebetitur nga varfëria dëshpëruese:

“Populli, ngrirë e mbirë pranë ekraneve TV, lotonte, psherëtinte. Dhe, padrejtësisht, lutnin epokën e Diktatorit, edhe pse kishin qenë skllevër të bindur të tij”.

Në këto kushte, bandat e trafiqeve të gjithfarllojshme marrin në dorë frenat e shtetit dhe Adriatiku bëhet dëshmitar i fatkeqësive të renda njerëzore që i mban të fshehura brenda humnerave të tij të mistershme. Dhe Blloku i dikurshëm, i ndarë nga masa e individëve të thjeshtë me murin e bajonetave të Gardës Kombëtare, vjen e zhvendoset në Çatinë e Gjarpërinjve, ku kush e kush më parë mundohet të luajë rolin e “përdëllimtarit më të kulluar” për fatet e një populli të mjerë, taman si në skenën e një teatri absurd, nëpër të cilën vërtiten të gjithë heronjtë kryesorë të romanit

Në këto ngjarje e sipër, autori nxjerr në skenë një këshilltare të huaj, Stela Moretin, e cila, për ta shpëtuar miletin nga thonjtë e varfërisë, rekomandon hapjen e “Firmave Rentiere”. Simbolika është interesante: politikanëve të huaj vetëm “për të mirën” e Shqipërisë “u është përvëluar shpirti gjithmonë”. Rendja e njerëzve drejt dyerve të atyre firmave, me shuqe parash ndër xhepa, merr përmasa të frikshme. Dhe prapa dyerve të atyre Firmave fantazma, paratë përfundojnë në thasë plastmasi, në të cilat do t’u merrej fryma ca nga ca, deri në zhdukjen e tyre tërësore. Prandaj autori s’e fsheh dot dëshpërimin e vet për gjëmën që i pret njerëzit nga Firmat Rentiere:

“Ata najlonë a plastmasë të zinj – arkivole të punëtorëve, fshatarëve, të të paditurve, qyqarëve që, ca pas ca, varrosnin jetë njerëzish: fati mjeran i një populli i cili beson tej mase”.

Gjithë katrahurën e individëve të marrosur nga varfëria në kapërcyellin e dy sistemeve shoqërore dhe sidomos pas fashitjes së frymëmarrjes së Firmave Rentiere, autori e përcjell me nota tragjikomike: njerëzit  turren drejt depove ushtarake të armatimit për të rrëmbyer armët. Dhe autori vazhdon rrëfimin e tij me të vërteta të gjëmshme për fatin e turmave të mashtruara:

“Ushtarakët e vjetër morën detyra të reja, të rëndësishme. Patën shërbyer pesëdhjetë vjet në ushtri e s`e kishin provuar fishekun – plumbin luftarak. Perëndia ua pruri në derë, do të mund të vrisnin vëllain, gruan, nënën, babën, njeriun e gjakut”.

Analiza e koncepteve të Platonit dhe të Aristotelit të krijon mundësinë për ta trajtuar lëvizjen e kategorive të tragjikes dhe të komikes jo vetëm në formën e kundërvënies, por edhe në formën e tërheqjes drejt njëra-tjetrës dhe të kalimit nga njëra te tjetra. Rrjedhimisht, me notat tragjikomike, me të cilat shkrimtari Eqerem Canaj pasqyron keqardhjen për masën e përvuajtur të njerëzve që kanë humbur toruan dhe nuk dinë se çfarë bëjnë në marrëzinë e tyre kolektive, lidhet të kuptuarit e arsyes se fatkeqësitë e tyre, në një masë të caktuar, janë pasojë jo vetëm e një organizimi shoqëror me mangësi të theksuara, por edhe e dobësisë së intelektit, e budallallëkut dhe e vullnetit të dobët individual.

Tragjikomedinë në përshkrimin e ngjarjeve, autori e ndërkërmben herë-herë edhe me groteskun, si mënyrë artistike, për t’u dhënë edhe më shumë mprehtësi dhe nota kontrastuese skenave reale në botën e individëve të tromaksur që nuk dinë nga t’ia mbajnë. Kjo është edhe arsyeja që ai shkruan:

“Do të nënkuptohej koncepti filozofik i epokës së re, tash e prapa, nuk hedhim valle në gojë të ujqërve, po në gojën e qenëve të ngordhur”.

Ky është një pohim i dhimbshëm i një figure të mirënjohur të letrave shqipe, si shkrimtari Eqerem Canaj, që përcjell një të vërtetë tragjike për fatet e një populli që ka gati një çerek shekulli pas rënies zyrtare të diktaturës komuniste, që nuk po hyn dot në hullinë e normalitetit. Me sa duket, Njëshi vërtet ka kohë që ka ikur në botën e përtejme, por litarin e ka lënë nëpër këmbët tona. Dhe ne nuk jemi ende në gjendje për ta prerë atë një herë e mirë, ashtu si Aleksandri preu me shpatë nyjën gordiane.

Santa Barbara, Kaliforni

03 dhjetor 2014

 

 

 

Comments

comments

-----