A E MBAN MEND?

Nga Luan Çipi

 

A e mban mend, moj (Hanëm) Zonjë,

Kur luanim bashkë symbyllas,

Të kërkoja ndër gjitonë

Veç të të sodisja rishtas.

 

Ti ikje, unë pas teje,

Si një qengj të vija pas,

Më vlonte gjaku ndër deje,

Shpirti mbushur me maraz.

 

Në kërkim muaj me radhë,

Në kukulla të rinte mendja,

Unë të dilja ballë përballë,

Ti më thoshe s’ma ka ënda.

 

Nuk do ti, po dua unë,

Do të të ndjek, gjer në varr,

Çdo ditë, të dua më shumë,

Zemrën tënde do ta marr!

 

Kur mi ktheve sytë e brishtë,

Gjoks e buzë i bëmë tok,

Unë, sikur linda sërish,

Përtërirë këmbë e kokë.

 

Dhe gjithnjë e kam në sy

Përjetësisht këtë imazh,

Gjysmë shekull dashuri,

Të pandarë për asnjë çast!

 

Vlorë, 10.07.2017

 

 

Comments

comments

-----