HISTORIA, SIPAS MEJE

Nga Luan Çipi

 

Ngujimet e historisë vijnë nga faktet, gjurmët, jeta.

Ne, që i kemi kaluar, shpallim veten dëshmitarë,

Dëshmorë e heronjtë e rënë, përjetojnë të vërtetat.

Lavdi, nderim për ta! Në kujtesë zënë vend të parë.

 

S’ harrohen kurrë ato vite, dalja në mal për liri

Kundër barbarisë fashiste, nacional e çlirimtarë,

Pa dallim në fe dhe ide, të pandarë në jug – veri.

Për veprimet heroike, përherë ndihemi krenar.

 

Kur fitorja triumfoi, u shfaq fantazmë “Partia”,

“Diktatura e Proletarëve”; vendin e mbuloi zija,

Mësimet erdhën nga lindja, në ballë u vu vegjëlia:

“Socializmin do ndërtojmë, model Rusi dhe Serbia!”

 

Dëshmojnë faktet kokëforte: analfabetizmi u zhduk,

U krye elektrifikimi, nga rrënjët gjithçka ndryshon,

Ekonomia zhvillohet, në vend po prodhohej bukë,

Nënujëse, tanke, avionë, garanci kush na sulmon;

 

U duk: Traktati i Varshavës, BRSS, Kina,

E fortë u bë Shqipëria, s’e sulmon dot kush të dojë,

Bota le të leqendiset, hapen rrugë, shtrohen shina,

 “Me këmbët tona ecim, për asnjë s’kemi nevojë.”

 

Ideja sedrën ngacmoi, vendimet s’pyetën për Zot:

Komandanti, “yll bote”, dha kushtrimin vendimprerë:

“Dhe pa Rusë e Kinezë, nuk na tremb askush në botë,

Imperialistë, revizionistë, do t’i zhdukim, si kolerë!”

 

“Nuk na duhen religjionet as Muhamedi, as Krishti,

Kishat, xhamit dhe teqetë, në magazina të kthehen,

Të gjithë ateistë të bëhen, Zoti, të ngelet te bishti,

Feja, opium e drogë. Ne, s’i lemë njerëzit të dehen!”

 

Po mallkim erdhi nga Zoti, sa dhe bukë populli s’kishte,

Ndihmat e Rusit u prenë, grurë nga Kina më nuk vinte,

Qumështi, mishi mungonte, populli rronte me barishte,

Vanë nënujëset dhe raketat, koha ndryshime po binte:

 

U shkërmoq Muri Berlinit, zjarr e flakë Timishoara,

“Kampi Socialist” u nda, iu çorën petët byrekut,

Pasuria  kolektive, shpejt po kthehej në gërmadha,

U shuan ëndrrat pushtuese, si te Serbi dhe te Greku;

 

Diktatura u përmbys, ndryshime dhe transformime,

Rinia dhe demokratët, morën pushtetin me vota,

Do e ndërtojmë Shqipërinë, me të tjera pretendime,

Rikthim në Kapitalizëm, ashtu siç e do gjithë bota.

 

Gabime, prapësi dhe faje: privatizim pa kriter,

Shkallmim në fabrika, ferma, miniera e kombinate,

Korrupsion, prostitucion, ngado filloi të vijë erë,

Lindën mbi dyzet parti, piramidat me shumë kate.

 

Po vendi para marshon: rrugë e ndërtime të reja,

Zgjerohet prona private, klinika e universitete,

Masmedia e lirë lulëzon, gjallohet sërish dhe feja

Kudo kisha dhe xhami, rrugëve mijëra automjete;

 

Emigrantët e rikthyer, sollën kulturë dhe përvojë,

Nga çdo anë hyjmë dhe dalim, pa viza dhe pa kufi,

Investimet nga të huajt dhe turizëm gjithfarësoj.

Të rinjtë prunë përparimin dhe një tjetër Shqipëri.

 

Të mirat pasojnë pafund: dielli lindi nga Amerika:

Kosova ndahet nga Serbi, hapen kufijtë anë e mbanë,

Për bashkim mbarë kombëtar Shqiptarëve u doli frika,

Njëzëri botërisht thërrasin: njësh të jemi dhe me Çamë!

 

Tiranë, më 05.07.2017

 

Comments

comments

-----