Përtej rendjes pas një topi

Nja dy mendime  pas përfundimit të kupës së futbollit, edicioni 2017 në Montreal

Urime ekipit “Vllaznia” fitues i kupës së shqiprarëve të Montrealit

Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada

Më 15 dhjetor 2016 isha i ftuar në koncertin e një violinisti shqiptar që gjer at’herë nuk ia dija emrin. Quhej Olen Cesari. Nuk dua të justifikohem por me mbi 20 vjetë jashtë at’dheut, nuk jam edhe aq në dijeni të emrave të artisteve shqiptarë, të muzikës, skenës apo ekranit. E pra, në prag të krishtlindjes, kur ke ftesa gjithëandej për “christmas party”, një përmbytje me çështje profesionale që duan zgjidhje para fundit të vitit, një ftesë për të marr pjesë në një koncert të një shqiptari (sidomos kur nuk i di emrin…) nuk i bie të jetë prioritet. Por, kur flet me organizatoren e kupton se nuk ke të zgjedhësh edhe aq shumë. Duke qenë se më ka rënë rasti të jem unë vetë në situatën e organizatorëve të koncertit në fjalë e di se ç’do të thotë të jesh në një pozicion të tillë. E pra, unë vendosa të shkoj jo për artistin por për miqët e mi organizatorë. Ishte një mbrëmje nga ato që n’a kujton se jetojmë jo larg polit të veriut. Me borën që binte pareshtur dhe tempraturat që i kalonte të minus 20tat, koncerti bëhej një sakrificë më vete. Dhe nuk munguan mungesat e lidhura pikërisht me kapriçot e motit. Por, shqiptarët e Montrealit, iu përgjigjën ftesës kush për patriotizëm, kush për hir të organizatorëve e kush për artistin. Sa do të donim që salla e zgjedhur të ishte plotë por ajo ishte deri diku e mbushur. Koncepti i koncertit ishte një udhëtim muzikal nëpër botë dhe ndonëse temperatura e jashtëme ndihej deri diku edhe brenda, artisti shqiptar do të dinte të ngrohte ambientin në sallë. Të gjitha pjesët ishin të mrekullueshme ndaj e merrni me mend se si u ndien shqiptarët kur artisti shqiptar dhe banda e tij filluan ekzekutimin e këngëve shqiptare e arbëreshe. Të gjithë e duam muzikën shqiptare por kur je larg ajo merr përmasa të tjera. Ovacione, duartrokitje dhe dalje nga rutina. Mendimi se koncerte të tilla duhet t’i kishim më të shpeshta të kaplon për një çast. E pra, unë kisha ardhur prej organizatorëve dhe ika me mendimin se duhet të kisha shkuar për artistin por unë nuk e njihja atë. Ja ku e njoha dhe kjo falë organizatorëve e mbi të gjitha falë guxmit të tyre.

   E zgjata pak me historinë e Olen Cesarit për të dal tek një problem që hasim shpesh këtej në Perëndim në pothuajse të gjitha komunitetet tona, mos mbështetja sa duhet e aktiviteteve kulturore, artistike, patriotike etj. Gjithandej në komunitete tona, ka aktivistë që bëjnë shumë për komunitetin e tyre, për çështjen shqiptare, për ruajtjen e gjuhës tek emigrantët etj. Mjafton të përmend nja dy fakte për të ilustruar mendimin tim. Fal punës së shqoqatës shqiptare të Torontos, në provincën e Ontarios, në Kanada kemi muajin nëntor që është shpallur nga parlamenti provincial si muaji i pasurisë kulturore të shqiptarëve, fal drejtuesve të “Rrenjët Shqiptare” në Nju Jork kemi manifestimin më të madh të shqiptarëve të Amerikës. Fal aktivistëve të ndryshëm kemi gjithandej (ku më shumë e ku më pak…) shkolla shqipe, gazeta shqiptare, gala e konkurse që shpërblejnë punën dhe mundin e shqiptarëve në fusha të ndryshme. E pra, nëse nuk mbështeten aktivitete të tilla me mënyra të ndryshme, aktivitete të tilla herët apo vonë do të zhduken. Ndihma apo mbështetja kanë forma nga më të ndryshmet, por pjemarrja është baza e çdo suksesi.

Nga ana tjetër, nëse nuk ndihmon dot, më e mira është heshtja më e keqa është të kritikosh vend e pa vend.

Në fillim të qershorit isha i ftuar në Granby (100 kilometra nga Montreali për ata që nuk e dinë…) i ftuar nga aktivisti tashmë i njohur nga shqiptarët e Kebekut dhe më gjerë zoti Mehdi Isufi që organizon prej disa vitesh “Granby shqip”. Nuk ka si të kalosh keq në një aktivitet që e organizon një artist dhe në një ambient 100% shqiptar por ajo që bëri përshtypje është akti i një sipërmarrësi shqiptar zotit Mevlan Hasani që kishte menduar një dhuratë origjinale. Ai kishte marr një gur nga Shqipëria dhe në të kishte gëdhendur me dorë një shqiponjë duke i bërë një dhuratë e vlerësim rapsodit dhe të palodhurit Mehdi Isufi. Një shqiptar nga Çamëria që vlerëson vëllain e vet shqiptar nga Kosova! Komentet janë të tepërta. Institucionet shqiptare të të dy shtetve shqiptare mund të marrin shembull.

Në Montreal, janë realizuar disa aktivitete cilësore falë organizatorëve (dhe guximit të tyre…) nga njëra anë por edhe mbështetjes nga sipërmarrje locale. Nuk është vendi t’i përmendim ata por pa mbështjen e tyre nuk do kishim koncerte si bie fjala ai I dives së muzikës shqiptare Inva Mula (këtu nuk gaboj në emra…). Ndonjë herë përfitimet emocionale, kulturore, përçuarja e vlerave të artit dhe muzikës shqiptare tek të rinjtë, nuk kanë çmim, ndonëse është ky i fundit dhe mjetet financiare në përgjithësi ato që thotë fjalën e fundit.

Në Montreal, kupa e futbollit të shqiptarëve që jetojnë në Montreal dhe rrethina është bërë tashmë traditë duke i mbijetuar edhe momenteve të vështira. Madje, dy vitet e fundit ajo ka patur në bazën e saj vlerësimin për një figurë dhe një prej aktivistëve të saj zotit Namik Shehaj, që u nda para kohe dy vjetë më parë. Nëse ky aktivitet ia ka dal të mbijetoj është pikërisht vullneti dhe dëshira e pjesmarrësve të aktivitetit që për të marr pjesë në aktivitet duhet të lënë mënjanë diçka tjetër. Nuk ka gjë më të mirë se një aktivitet që i grumbullon të gjitha moshat dhe gjinitë. Mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan nga afër dhe nga larg në organizimin e aktivitetit. Mirnjohje gjithashtu edhe për një delegacion të shqiptarëve të Granbit me z. Mehdi Isufi në krye që e nderuan aktivitetin.

Dita e 19 qershorit goditi të ishte një ditë e nxehtë e megjithatë askush nuk u ankua, të gjithë u kënaqën dhe u argëtuan. Si aktivitet familjar që ishte, në aktivitet kishte familje, fëmijë e të moshuar si dhe vizitorë të ardhur me pushime në Kanada. Duhet përgëzuar fituesit që ia dolën të fitojnë tre ndeshje por edhe ekipin “Tepelena” si finalistë dhe “Teuta” dhe “Sinqeriteti” që ndan me njëri-tjetrin vendin e tretë dhe të katërt. Përgëzime lojtarit më të mirë të kupës z. Ilir Mushkalaj. Unë mendoj se në fund të fundit të gjithë fituan sepse të gjithë u ndanë me njëri-tjetrin me respekt, me njohje të reja dhe me dëshirën për t’u parë sa më shpejtë.

Duke qenë nga organizatorët e një aktiviteti si kupa e futbollit jam i kënaqur që ata që erdhën në aktivitet u kënaqen. Por unë jam i ndërgjegjshëm për të metat. Një aktivitet nuk mund të bëhet i mundur as nga një as nga dy as nga tre persona. Sa më shumë njerëz të përfshihen në organizim aq më më mirë do jetë. Kjo le të vlej për të ardhmen.

Me dëshirën për t’u takuar së shpejti, verë të këndëshme dhe pushime të mbara!

Ajet Nuro

Montreal, 29 qershor 2017

Për më shumë foto facebook #kupa2017mtl

https://www.facebook.com/Kupa-e-futbollit-e-Shqiptar%C3%ABve-t%C3%AB-Kebekut-Montreal-148425081887955/

Comments

comments

-----