Për një botë më të mirë

Nga Mimoza Dajçi

Hamburg, Gjermani – Qershor 2017

Me mbështetjen e qeverisë Gjermane në datat 18 – 19 Qershor 2017, u mbajt në Hamburg, Samiti i C20. Vetë C20 është një nga grupimet e quajtura “angazhimi” dhe që ekziston qysh nga ekzistenca e presidencës gjermane ne G20. Tema e diskutimeve u përqendrua në slloganin “The world we want”, ndërsa qëllimi i takimit ishte për të këshilluar qeveritarët e G20 se si të arrihet bota që duam. 

Samiti zhvilloi punimet në HafenCity University në Hamburg, ku një ndër panelet kryesore ishte bashkëbisedimi me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila në fjalën e saj dha mbështetjen për vendet që kërkojnë integrim europian, shprehu shqetësimin për varfërinë në botë, foli për rolin e gruas në Ballkan e më gjerë, për arritjet e gruas në ekonomi dhe zhvillim, u ndal edhe tek “Marrëveshja e Parisit” mbi klimën globale. “Besoj – tha ajo – se edhe në kohë të tilla të vështira ndërkombëtare, ne kemi shansin të ecim përpara nëse punojmë së bashku, pasi vetëm një shoqëri civile e lirë mund të garantojë kombe të begata dhe me prosperitet për periudha afatgjata”.

Një folëse tjetër me potencë dhe perspektivë për të ardhmen e politikës gjermane, ishte edhe Kryetarja e Dytë e Bashkisë së qytetit të Hamburgut, në moshë relativisht të re Katharina Fegebank. Gjatë kësaj seance, u dorëzua edhe një komunikatë e C20, me synimin për një komunikim të shkurtër dhe të fortë mes të pranishmëve.

Sipas konkluzioneve, pjesëmarrësit u fokusuan dhe arritën në disa ide të qarta, pasi “tashmë – thanë ata – dihet nga të gjithë se sfidat e kohës janë të mëdha dhe sistemet ekonomike globale janë të gabuara, si rezultat ka lindur nevoja urgjente për një bashkëpunim më të mirë mes ndërkombëtarëve. Dhe se bota – u theksua aty – nuk ka parë sot një pabarazi të tillë kaq masive, ku hendeku midis individëve të pasur dhe të varfërve po zgjerohet në numër të madh e në shumë vende rreth globit, situatë kjo që reflektohet edhe në pabarazinë gjinore”. 

Në fund u konkludua gjithashtu se veprimet e guximshme janë të nevojshme nga të gjitha qeveritë, sidomos ato që do të takohen muajin e ardhshëm në G20, pasi G20 u takua pak kohë më parë në Forumin e mbajtur nga OKB për financim dhe zhvillim dhe u ra dakord që trajektoret aktuale globale nuk do të arrijnë qëllimin e epokalizmit të varfërisë deri në 2030.                     

Po sipas këtij drafti udhëzues një nga pikat që G20 duhet të fokusohet, ishin edhe angazhimet e tyre për të shfuqizuar subvencionet e karburanteve, pasi dihet që gazi është burim i rëndësishëm i energjisë, forcimi i institucioneve botërore, etj. Si shqetësim global u ngrit gjithashtu përmirësimi i shëndetit publik, roli i gruas dhe të rinjve në jetën e vendit, si dhe situata klimaterike, ku folësit u përqendruan tek “Marrëveshja e Parisit”. 

Përsa i përket kësaj marrëveshje, disa politikanë dhe individë të ndryshëm në SHBA i kanë dhënë Ok, ndërsa Presidenti Trump në një pronocim të tij datë 1 qershor 2017 para Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se: “Marrëveshja do të pengonte rritjen e ekonomisë në SHBA dhe do të dëmtonte familjet amerikane, shtoi gjithashtu duke thënë se, do të fillonte menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të re mbi ndryshimet klimatike që do të jetë më e mirë për popullin amerikan”.            

Në mbyllje, Kryebashkiaku i Hamburgut Olaf Scholz, organizoi një pritje zyrtare dhe shtroi koktej në ambjentet e Selisë së Bashkisë. Në Samitin Botëror të C20 morën pjesë përfaqësuesë të medias e shoqërisë civile. E ftuar ishte edhe gazetarja Mimoza Dajçi.

Comments

comments

-----