Shkolla Shqipe “Alba Life” në NY përfundoi me plot sukses vitin shkollor akademik 2016-2017

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Sot është dita shqipëtare/ Të përpiqmi/ Alfabetin tonë ta mbrojmë/ Shpejt o burrani/ Shkronjat tona janë të arta/ Këto duamë.  Parashqevi Qiriazi

Shkolla Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut përfundoi me plot sukses vitin shkollor akademik 2016 të -2017-të.

Gjyshër, Prindër, mësues dhe nxenes vinin grupe grupe të gëzuar për të festuar së bashku mbylljen e vitit shkollor dhe për të parë nga afër programin që do të shfaqnin nxënësit dhe njëkohësisht fëmijët e tyre në skenën e shkollës publike amerikane Ps: 9 në Staten Island.

Vatra e Gjuhës Shqipe e alfabetit të shenjtë të Kombit i mblodhi në ishullin e bukur në Staten Island të gjithë nxënësit që vijnë dhe vazhdojnë me plot dashuri programin e shkollës shqipe i mblodhi në vatrën me prush të ndezur për Shqipen, aty ku nisi mësimi i parë i Gjuhës Shqipe të Shkollës “Alba Life”.

Nxënësit e shkollave Shqipe kudo në botë janë dashuria dhe krenaria e Kombit, ata janë e ardhmja.  Jam e sigurtë se qysh kur ka shkelur shqiptari i parë në Amerikë duhet të ketë menduar dy gjëra nga më të rëndësishme për shqiptarin:  Kombi dhe Gjuha Shqipe.  Prandaj është detyrë shumë e rëndësishme dhe e ngutshme për të sensibilizuar Diasporën anë e mbanë në lidhje me Gjuhën Shqipe sepse asnjëherë Komunitetet nëpër botë nuk bëhen të forta në se gjeneratat që lindin jashtë trojeve të tyre harrojnë gjuhën e nënës. 

Moderatorja e programit tha se ka qenë një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por tejet frymëzues.

Ne sot festojmë mbylljen e Vitit Shkollor 2016 të -2017 të.  Ka qenë një vit i mbushur me punë dhe dashuri për mësimin e Gjuhës Shqipe.  Dhe ja më në fund ja arritëm sepse jeni ju mësues të dashur, si Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Adelina Lacaj, Raimonda Hysolli, Ardita Miloti Vadahi, Blerta Gjevori, si dhe Eduard Dilo anëtar i stafit si dhe prindër dhe nxënës që po realizojmë misionin më fisnik në Diasporë dhe po kaq dhe për Kombin tonë të përbashkët.

Shkolla Shqipe “Alba Life” ka nje aktivitet 10 vjeçar dhe është bërë krenari e gjithë dashamirësve të Shkollave Shqipe në Diasporë.  Sivjet Shkolla Shqipe arriti suksesin e radhës duke hapur një shkollë shqipe në Queens në shkollën publike amerikane 68.  Aktivitetet e saj janë të panumërta dhe gjithmonë në shërbime të kulturës shqiptare.  Programi tejet serioz i saj si festimi në Ditën e Flamurit, Festat e fundvitit, festa e Mësuesit, Festivalet e Shkollave Shqipe dhe gradimi në fund të vitit janë vërtetë patriotike dhe frymëzuese.

Programi i nxënësve të Shkolles Shqipe “Alba Life” në fund të vitit shkollor 2016 të -2017 të

 Nxënësit e filluan programin me këngën “Gjuha Shqipe , Gjuha jonë” që është bërë hymn për Shkollën Shqipe si dhe është kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit në katër festivalet e nxënësve të Shkollave Shqipe në Amerikë.  Këngëtarët ishin Eda e Elsa Kulla nxënëse të shkollës Alba Life në Queens, Dea Kërliu, Elira Dzemaili dhe Dea Watkins nxënëse të shkollës “Alba Life” në Staten Island të shoqëruara nga kori i shkollës.

Më pas u këndua “Kënga e “Alfabetit Shqip” me tekst të Parashqevi Qirjazit kënduar nga  Dea Kërliu dhe shoqëruar nga kori i shkollave “Alba Life”.  Teksti është shkruar nga Parashqevi Qiriazi dhe i është kushtuar alfabetit të dalë nga Kongresi i Manastirit prej 14-22 nëntor 1908

Kënga e “Mësuesit” orkestracioni Gust Daija. Këndoi dhe luajti në piano Dea Watkins nxënëse e shkollës “Alba Life” në Staten Island NY.

Vjersha “Lapsi im” interpretuar nga nxënësi i shkollës shqipe “Alba Life” në Queens, Iliran Karamuca

Kënga “Për mëmëdhenë” me tekst të Mihal Gramenos. Këndoi Elsa Kulla dhe Era Vadahi shoqëruar nga kori i shkollave “Alba Life”.

Kënga e Gjyshes u këndua nga Dea Kerliu shoqëruar nga kori.

Arsi Muda interpretoi vjershen “Jam Dibran”.

Programi u mbyll me “Kuq e zi”.  Kënduan: Elsa Kulla, Era Vadahi,  Joana Kulla dhe Ilirian Karamuça të shkollës “Alba Life” në Queens, shoqëruar nga  kori i shkollave Alba Life  vallëzon  grupi i valltarëve  të shkollës në Staten Island, NY të përgatitur nga mësuesja Entela Muda.

Mbas programit Drejtori dhe themeluesi i Shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo ka përshëndetur gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për mbylljen me sukses të vitit shkollor akademik 2016 të-2017 të dhe iu ka uruar atyre pushime të mbara!

Një falënderim special iu dha bashkëpunëtorëve të Shkollës Shqipe si z.Shpetim Bardhi, Kreshnik Dorzi dhe Todd Watkins.

Z.Qemal Zylo iu ndau të gjithë nxënësve certifikatën si nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life” si dhe mirënjohjen për përkushtimin e tyre ndaj programit mësimor të Gjuhës Shqipe si dhe pjesëmarrjen në Festivalin e katërt të Shkollave Shqipe në Amerikë, në Waterbury, Connecticut.

Me certificatë mirënjohje u vlerësuan mësueset Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Adelina Lacaj, Raimonda Hysolli dhe Ardita Miloti Vadahi me këtë motivacion:  Për kontributin e tyre në dhënien e mësimit të Gjuhës Shqipe si dhe ndihmesën në përgatitjen e nxënësve dhe përfaqësimin e tyre në Festivalin e katërt të Shkollave Shqipe në Amerikë në Waterbury, CT. 

Në fund u nda torta me simbolin kuq e zi dhe logon e Alba Life, përgatitur me bujari nga familja e nderuar Thaqi.

Nxënësit u argëtuan me valle dhe këngë shqiptare nën kujdesin e muzikantit Kreshnik Dorzi.

Programi u filmua nga TV “Alba Life” me kameraman Todd Watkins dhe do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

17 qershor, 2017

Staten Island, New York

Comments

comments

-----