I pavdekshëm brenda meje

Nga Bajame Hoxha(Çeliku)

 

I pavdekshëm brenda meje

Në inboxin tënd kërkoj ndër vite

Se mos një mesazh ka mbërritur nga ti,

Dhe kur aty nuk gjej asgjë tënden

Çdo ditë e bukur më mbytet nëpër sy.

Harroj dhe futem e futem përsëri

Aq sa gjithë botën tënde e ndjej,

Ti qëndron aq thellë me aq krenari

Sa përjetë brenda meje të gjej.

 

Duke kërkuar

 

Duke kërkuar Hygoin në raft

Ngriva kur hapa një libër,

Qe shkruar kohë më parë

Një autograf përsipër.

E hapa qe fletore

Dikur hedhur në raft,

Në faqen e parë

Qe mbushur

Me kujtime e mall.

Lexova një lexova dy

Dhe ngriva mbi një mbishkrim,

E njoha, më gërvishti në sy

Më shtrëngoi në fyt

Më ngau në gji.

U futa thellë fjalëve

Që i lexova dhjetëra herë,

Vallë ke harruar

Që ke lënë një mbishkrim

Kaq të thellë?!

Dhe lexoj me dhjetëra kujtime

Të rinj e të vjetër

Mes tyre ah sa shkrime

Por ky s’ngjan me asnjë tjetër!

Lexoj e rilexoj këto fjalë të nxehta

Dhe kthej kryet më një anë,

Se s’dua as vetja

T’më shoh lotin e vrarë.

Ti je këtu mes rreshtave

Dhe mes shkrimit më shikon mua,

Ky shkrim po mi thotë të tëra

Ato që s’ke mundur t’mi thuash.

U preka këtë mëngjes pranvere

Më ngeci mendimi në fyt

Dhe lotin gëlltis.

Ti ke mbërritur që dikur

Thjesht në shtëpinë time,

Pse qe fshehur kaq vite

Raftit e s’më dilje?

Ti je këtu me mua

Më flet në fletën e shkruar,

Zërin të dëgjoj tek thua:

Jam këtu ndër librat e tua.

Lexoj e lexoj mes lotit

Shkrimin e njoh, je ti!

Pse ma ke lënë kaq fshehur

E unë e gjeta tani:

“Me shumë dashuri Kur ta hapësh

Do t’kujtosh takimin e parë…

Besoj se jemi të lumtur

Këto çaste që u pamë!”

E lexova dhe ulem e goditur

Ku të të mbaj më thuaj,

Në zemër a në duar?

O JETË BARBARE

Një mall i largët më ngulet si thikë

E loti rrjedh më ngrin mbi qerpikë,

Seç më trondit, më vret pa pushim

Ajo besë që qe ngulë shpirtit tim.

E tani e duroj këtë lot vajtimi

Kjo tradhti më nget pa mëshirë,

O jetë barbare ku vajti betimi

Që erdh si prelud përjetësisht?!

Por ja një ditë dhe ne u ndamë

Si shumë të tjerë forcërisht!

Tashmë dhe lotët e mi u thanë

Atje tek brazimat tinëzisht.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Azem Shkrelit

 

Dikur ke thanë:

Më mëso të vdes bukur Kosovë!

Dhe ti,

Poet i ëndrrave

I jetës plot vargje,

I re kitarës ma bukur

Dhe shkove në parodisë

Me tinguj kitare

Me këngë universale

Me liri në zemër!

Ah,

Ti poet i poetëve

Sa krenar që dukesh!

Ashtu fisnikërisht qëndron edhe tani

Mes vargut

Mes poetëve

Mes lirisë së Kosovës.

Ti e di

Në çdo takim

Ty të presim të vish.

Të shohim

Tek shtrëngon duart e shokëve

Si dikur

Me poezi në duar

Me buzëqeshje në buzë

Me dashuri në zemër

Me Kosovën në shpirt!

Më mëso t’i bie bukur

Ke thanë dikur

Dhe ti i re ma bukur, Azem!

Se shpirti yt dinte me këndue

Bjeshkëve të Sharit

Lëndinave të Kosovës.

Dhe tani

Të them unë:

Më mëso vetëm t’i bie kitarës

Më mëso të vdes bukur si ti,

Azem shkreli!

 

 

 

 

Si zog shtegtar po nisem nëpër vise

Ma kanë prishur folenë në atdhe

Kokë ulur krahë këputur e pendë rënë

Më të rëndë në zemër një gur të vënë.

 

Kaloj dhe kontinente shuar shpresë

Më kot kërkoj një fole që s’më nxeh,

Folenë që me kohë e pata ndërtuar

Ndërtuar e kisha në timin Atdhe.

 

Atdheu im, e di që u lodhe

Pranverë dua të bëhem për ty dhe në eter,

Më beso! Me ty në krah për ditë po endem

Me ty në jastëk dua kryet të vë.

Ah, atdhe, atdhe sa e madhe fjalë që je

Dhe dheun, dhe gurin sa të ëmbël i ke!

Në krah do të mbaj,si toka pranverën

Ashtu si si pranverë që çel sythet e jetës.

 

 

,,

Comments

comments

-----