SOFRA POETIKE NË FAMILJEN HAXHIRAJ

Nga Kadri Tarelli

 

Në të dalë të fundpranverës, Maj 2017, një grup prej pesë vetësh, Nikolla Spathari, kryetar i klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, Agim Bajrami poet i njohur, Vladimir Muça poet e shkrimtar, Kadri Tarelli, publicist e historian, Bajram Gashi mësues dhe historian, i cili ishte edhe shoferi ynë, sëbashku u nisëm nga Durrësi drejt Vlorës, qytet bregdetar i lakmuar për bukuri përrallore, e histori të madhe. Ishte përgjigje ndaj ftesës që na erdhi nga çifti vlonjat e simpatik, Vilhelme e Fitim Haxhiraj. Me ç’rast do të thoni ju? Znj. Vilhelme, më lejoni ta thërras Vivra, meqë më pëlqen ky pseudonim mjaft i goditur, festonte 20-vjetorin e fillimit të botimeve letrare të saj. Mbase do të duket paksa i çuditshëm ky përvjetor, po Vivra nuk mund të presë. Pavarësisht viteve, thinjave dhe rrudhave, ajo rezaton energji e zjarr rinie, mbase nga prrushi i mbyllur e shpirti i ndrydhur, në 50-vjetët e mallkuar të diktaturës. Është vullkan që kërkon të shpërthejë si magma e ngjeshur nën mal.

Një kafe në Vlorë tek “Palma”, ku na pritën, vetë Vivra e Fitimi, Lejla Gorishti, Vjollca Tytyni (Biraku), Qemal Biraku, Spiro Hallullaj dhe Skënder Xhaferi. Pasi u çlodhëm pak, u nisëm rrugës për në Llogara dhe u kthyem në Dukat të vjetër. Nuk munguan fotografitë dhe shakatë si për ditë feste.

Kush ka qënë nëpër takime poetësh dhe nuk është mrekulluar nga gjallëria e kuvendit, nga recitimet e poezive të shkruara nga ata vetë, nga shakatë dhe këngët. Kështu ndodhi edhe me ne. Sapo Fitimi ngriti dolli, për ne miqtë dhe për Vivrën, si sebeplije të kësaj ngjarje kaq të bukurujdisur, filloi Nikolla me poezitë e tij, sikur të ishin shkruar kasten për këtë takim me mikeshën tonë, shkrimtaren dhe poeten tashmë të shumënjohur. U befasuam të gjithë nga kujtesa e fortë e Fitimit dhe Nikollës, sepse ata recitonin dhjetra vargje përmendësh. Më pas vazhduan Agimi me zërin e tij kumbues, si një dhuratë nga zoti veç për poezi. Më tej edhe Vladimiri, i cili kishte përgatitur një shkrim me përmbledhje të jetës dhe krijimtaisë së “princeshës sonë Vivra”. Që të mos mbetesha prapa tyre, u ngrita edhe unë dhe recitova të vetmen poezi timen “Veç një orë bëhu poete”, duke bërë parapritje që u pëlqye, pasi thashë: “Edhe unë dua të bëhem poet”. Takimi, dmth, dreka vazhdoi gjatë, sepse kështu ndodh kur poetët hapin fletët dhe i japi krahë frymëzimit. Duhet të jesh mes tyre, që të ndjesh zjarrin dhe këmbanat e shpirtit, ndaj duhet besuar V. Hygo, kur thotë: “Popuj, dëgjojeni poetin. Dëgjojeni ëndrrimtarin e shenjtë!”.

Me Vivran dhe Fitimin, jam njohur herët, nga shkrimet në internet te “Fjala e lire”, që publikohet në Londer, ndërsa njohja nga afër u mundësua vonë, këtu e 5-6 vjet të shkuar, në një takim të organizuar në Durrës, në Shkollën 9-vjeçare “Demokrcia”, me rastin e festës së “100-vjetorit të Pavarësisë”, ku kishin ardhur edhe shkrimtarë shqiptar nga Suedia e largët. Po në Durrës, jemi takuar edhe disa herë të tjera në veprimtaritë që organizon Biblioteka e qytetit. Kështu që u bëmë miq, sepse shkrimtarët apo krijuesit, e gjejnë shpejt gjuhën e mirëkuptimit dhe miqësisë.

Nuk pretendoj se e njoh të gjithë veprën e saj, pavarësisht se kam lexuar disa novela e shumë tregime, për disa kam bërë edhe komente të shkurtra, më pas edhe një shkrim kushtuar novelës “Çmimi i dualizmit”. Veç kam vënë re se, në skicat, tregimet, apo në çdo krijim, shkrimtarja i mbush me jetë “heronjtë” e saj, i jep vërtetësi dhe dritë lojës dhe ca më shumë idesë. Duke qënë e vuajtur dhe e mohuar gjatë sistemit të shkuar, portretet përvijohen me ngjyra të forta, duke nxjerrë në pah tiparet morale, më shumë sesa ato fizike, megjithse edhe këto janë të magjishme. Në cilëndo pjesë mbizotëron monologu i brendshëm, ku shpalosen idetë jetësore dhe filozofike të shkrimtares sonë të ditur e të ndritur, aqsa diku kam thënë: Vivra e zbriti filozofinë nga olimpi dhe e solli në tokë mes nesh, mes njerëzve të thjeshtë.

Unë, në pak reshta më parë, e quajta Vivravn “Princesha jonë”, ndërsa Eshref Ymeri shkon edhe më lart, në një koment tek “Fjala e lire”. Ai e quan “Ikon e letërsisë sonë bashkëkohore, një nga radhët e penave të artit të të shkruarit”.

I ndjek me vëmendje komentet dhe shkrimet që i kushtohen Vivra Vranarit. Më pëlqeu studimi i znj. Lejla Gorishti, në shkrimin “Haxhiraj në 20 vjet krijimtari”, publikuar tek “Fjala e lire”, datë. 04. 06. 2017. E falënderoj dhe i uroj studim më të gjërë të të gjithë veprës së Vivras, pasi është një pasuri letare bashkëkohore. Nuk m’u durua pa i bërë një koment të shkurtër: “Na e solle Vivrën të pikturuar me art fjale, me ngjyra deti Vlore dhe aromë lulesh Kanine. Vivra meriton shumë e më shumë, pasi letërsia e saj në këto 20 vjet ka bërë epokë, aq sa nuk bënë shkrimtarët e quajtur të mëdhenj, në gjysmë shekulli, kur kishin pas shpine të gjithë mjetet e paropogandës shtetërore dhe të shtypit. Vivra çau përmes fjalës artistike, kur duart dhe shpirti  i’u zgjidhën dhe fjala fitoi liri. Nuk flas për çmimet që ka fituar, por për prurjet letrare, që kanë vlerë sa kombëtare aq edhe universal, sa popullore e të thjeshta, aq aristikrate e fisnike, sa reale të jetuara, aq edhe të frymëzuara e poetike. Letërsia që ajo bluan e gatuan, kanë një frymë njerëzie dhe shqiptarie, ndaj meriton studim të mirëfilltë kritik e letrar. Ju lumtë zonja Lejla! Ju e nistët dhe po e kryeni këtë detyrë të vështirë. Le t’u ndjekin pas edhe pena të tjera që duan dhe vlerësojnë letërsinë e mirë dhe të bukur”.

Nuk di sa do të pëlqehet një poezi kushtuar nga unë, kësaj zonje të nderuar të letarve dhe mendimit artistik shqiptar. Gjithsesi nuk pretendoj për vepër kushediçfarë, as për çmim konkursi. Thjesht është veç një meditim çasti:

 

VIVRA. NJË VULLKAN QË SHPËRTHEU VONË

-Vivra je vullkan! Pse shpërthyet vonë?

-Duar lidhur e gjuhë prerë, 50- vjet, sëra jonë,

Ndaj nxitoj, diell e prrush, unë të hedh në letër.

Po s’i shkrova sot, ç’kohë të pres tjetër.

Flokët po më thinjen, se lulja venitet.

Gruri që u poq, vjen koha të pritet.

Po s’u mblodhën kokrrat, ato shkojnë kot,

Si ëndrrat e grisura, që s’i harroj dot.

E vrarë rinia, e shkërmoqur jeta,

ku ta dijë bota, si është e vërteta!

Mendime të thyera, shpërndarë nëpër vite,

Janë thëngjij zjarri, janë vegime drite.

Si t’i mbaj të mbyllur, kur shpirti s’mi nxe?

Syri nuk ka gjumë, as vargu nuk fle.

Janë copëza jete, mos mbeten në re,

Le t’i zbresë shiu, të mbijnë më nge.

Urime Vivra! Në Vlorë, me krijimtari edhe në 20-vjetorë të tjerë!

 

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Durrës më: 08, të Qershorit 2017.

 

 

 

 

Comments

comments

-----